Kthehet “magjia” e Mezanit, Luftëtari nis të trembë Superligën!

Edhe kur humb dy yjet kryesorë sërish mund të jesh ekip i vërtetë. Ky është parimi i trajnerëve të vërtetë, dhe i tillë është padyshim Gentian Mezani, që e nisi me sukses aventurën tek Luftëtari. Vlonjati udhëhoqi gjirokastritët në një fitore të thellë dhe të merituar, 3-0 ndaj Teutës, duke mbyllur një herë e mirë epokën e dyshimtë të ish-trajnerit Kostiç.

Luftëtarit iu larguan në verë dy sulmuesit kryesorë, Abazaj për në Belgjikë dhe Bregu për tek Skënderbeu, dhe vuajti shumë në fillim të sezonit, duke i humbur të katër ndeshjet e para të Superligës. Me Mezanin ishte ndryshe, që në sfidën e parë.

Në Gjirokastër, vendasit patën epërsi të plotë duke shënuar radhazi me anë të Shkurtajt në pjesën e parë, dhe të Rapos e Milosavljevit pas pushimit. Bledi Shkëmbi, ish-kapiteni i Skënderbeut, provoi se nuk është e lehtë të nisësh karrierën në stol. Korçari pati një humbje të hidhur, edhe pse Teuta u përpoq të reagonte në fund, madje kur kishte mbetur me 10 lojtarë në fushën e lojës. Me shumë gjasë, edhe këtë sezon, ashtu si vjet, skuadrat do të mund të luftojnë njëkohësisht për Europën, por edhe për mbijetesën.

Sfidanti.al