Botërori ishte “vitrina” kryesore, veçse për Belgjikën kishte ardhur disi para kohe. Skuadra e “djajve të kuq” u duk si “produkt jo plotësisht i gatshëm” në sfidat ndaj Brazilit e Francës, ndërsa në duelin e parë të Ligës së Kombeve ndaj Islandës, gjithçka u duk e përkryer. Udhëhequr nga dyshja “e artë” Romelu Lukaku-Eden Hazar, belgët triumfuan 3-0 në Rejkjavik, pak ditë pas suksesit 4-0 në një tjetër kryeqytet verior të Europës, në Gllazgou.
Padyshim që Hazar është ylli kryesor, por Lukaku po tregon një formë të tillë shënimi, saqë nuk mund të vendoset më poshtë. Ai shënoi dy herë ndaj Islandës, ndërsa kishte realizuar edhe ndaj Skocisë. Katër ishin rrjetat në Botëror, ndërsa gjigandi i Mançester Junajtidit thellon rekordin kombëtar të golave me Belgjikën, me 43 në 77 takime. Dy ndjekësit e tij të famshëm, Bernard Vorhof e Paul Van Himst, janë në kuotën e 30 golave.
Kur vesh fanelën e kombëtares, Lukaku duket si Mesia apo Ronaldo. Në 2018, deri tani ka shënuar 12 herë në 12 ndeshje, vitin e kaluar arriti në 9 realizime në 9 takime, ndërsa në 2016 ishte me 11 gola në 14 përfaqësime për Belgjikën.
Sfidanti.al