Janë padyshim ndër trajnerët me më shumë integritet në futbollin shqiptar, edhe pse njëri doli sot i fituar, dhe tjetri i mundur. Secili sipas mënyrës së vet, Ilir Daja e Armando Cungu, treguan personalitetin e fuqishëm, që jo çdo njeri i stolit në Shqipëri, e ka. “E vlerësuam kundërshtarin, por nëse nuk vjen Ekubani, do ta kemi të vështirë”, – ishte mesazhi i Dajës për presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizi, pas suksesit 1-0 në Vlorë ndaj Kukësi.
“Kontratat nuk i bëj unë, – ishin fjalët e Cungut pas humbjes, – nuk dua në ekip lojtarë që nuk pranojnë konkurrencën. Kush nuk bindet e përjashton futbolli, jo trajneri apo drejtori. Unë dua të ruaj grupin, të luaj me ata lojtarë që janë gati të sakrifikojnë”. Trajneri shkodran, i njohur për autoritetin e tij edhe në Laç apo tek Vllaznia, i tha këto fjalë për presidentin Gjici, dhe për ndonjë lojtar që dëshiron të jetë titullar me patjetër.
Sfida u vendos nga një gol i ish-lojtarit të Kukësit, Alla, në minutën e 40-të, ndërsa u luajt në një fushë të mjeruar (në Vlorë thonë se janë krimbat që e kanë ngrënë barin, por ku është mirëmbajtja?!).
Sfidanti.al