Tri fitore me tri, por Anzher u duk shumë pranë Paris SG

Treshja e mrekullive ia doli të shënonte 100 për qind dhe ishte ajo që e shpëtoi Paris SG ndaj një turpërim në fushën e vet në kampionatin francez. Edinson Kavani, Kilian Mbape dhe Nejmar ishin autorët e golave ndaj Anzherit, ekipit pa asnjë pikë, por që u duk tepër i fortë në “Park dë Prensis”. Miqtë modestë, vërtetë pësuan humbjen e tretë radhazi dhe PSG arriti suksesin e tretë po radhazi, por diferenca nuk u duk e madhe.

Anzheri luftoi fort në pjesën e parë, duke e mbyllur në barazim, pas golave të Kavanit për vendasit dhe Manganisë për miqtë. Kilian Mbape ishte spektakli më i madh në fushë, edhe pse në krah pati Nejmarin. Ndër “madhështorët” mungoi portieri italian, Xhanluixhi Bufon, i lënë në stol nga trajneri Tomas Tuhel.

Kavani u kthye me gol nga dëmtimi dhe vazhdon me rekordin e tij të golave për parizienët, që kur kaloi Ibrahimoviçin, që kishte realizuar 156. Uruguajani ka sot 171 rrjeta, ndërsa në kampionatin francez ka shënuar 117 herë.

Sfidanti.al