A thua tifozët mund të kenë sërish shpresë? Liverpuli u ngjit në krye të Premier Ligës pas gati dy vjetësh, me fitoren e ngushtë 1-0 në “Anfild” ndaj Brajtonit. Ekipi që mposhti Mançester Junajtidin tregoi se suksesi ndaj Murinjos nuk kishte qenë rastësi, dhe u desh klasi i Mohamed Salahut për të shënuar golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 22-të, por edhe forca e lojës në mbrojtje, plus portierin Alison, për të shmangur çdo të papritur.
Ishin rreth 52 000 tifozë në “Anfild”, dhe ata shpresojnë që ky të jetë viti i mbarë, i pari me titull që nga 1990-ta e largët, kur në stol ishte ulur legjenda Keni Dalglish. Sot është Jurgen Klop, një legjendë e gjallë edhe ai, apo siç quhet ndryshe një “Robin Hud”.
Të kuqtë kanë mundur të jenë vetëm dy herë pretendentë për titull në 10 vitet e fundit, dhe kjo ka ndodhur në 2008-2009 me trajner Rafa Benitezin dhe me Fernando Torresin, si dhe në 2013-2014 me Brendan Roxhersin në stol dhe me Luis Suarezin në sulm. Në të dy sezonet, kapiten ka qenë Stiven Xherrard, një nga lojtarët më të mëdhenj që nuk fitoi dot një titull kampion.
Shpresohet që Salah, Alison, Henderson, Milner, Firmino apo Mane, së bashku me Klopin të jenë më me fat. Liverpuli ka 9 pikë pas 3 ndeshjeve të para, i vetmi ekip në Premier që ende nuk ka pësuar asnjë gol.
Sfidanti.al