Ndeshja duhej të ishte (dhe do të jetë) mes Tajson Fjurit dhe Françesko Pianetës, e do të mbahet në ringun e “Uindsor Parkut” në Belfast. Gjithsesi, skenari u ndryshua, rastësisht apo me qëllim kjo nuk dihet, dhe në hotelin irlandezoverior ku po bëhej peshimi, hyri pa ftesë Diontej Uajlder (Deontay Wilder).
Boksieri amerikan i peshave të rënda, që nuk kishte asnjë punë me atë që po ndodhte gjatë peshimit, “theu derën” ndërsa kishte udhëtuar enkas me avion nga SHBA për në Mbretërinë e Bashkuar. Në një spektakël ilegal, dhe padyshim aspak të hijshëm, amerikani deshi të fitonte edhe më shumë popullaritet në prag të një sfide të mundshme të tij me Fjurin.
Uajlder fillimisht u përball me babanë e boksierit anglez, Xhonin, i cili i ulëriti në fytyrë, ndërsa pas peshimit, drejt tij u nis vetë Fjuri. Anglezi shtatlartë u ndal nga tifozët dhe nga rojet e sigurisë, ndërsa të dy “gjelat” lëshuan batuta ndaj njëri-tjetrit. Me shumë gjasë, Fjuri do të fitojë sonte ndaj Pianetës dhe ndeshja e ardhshme do të jetë ndaj Uajlderit, besohet në SHBA.
Sfidanti.al