Reali me “brinjë të thyera” pas Superkupës, duhen urgjent përforcime!

Nuk ishte vetëm një humbje, por edhe një sinjal alarmi. Disfata nën goditjet e Diego Kostës dhe të Atletikos, në Superkupën e Europës, u ndje fort dhe dhimbshëm tek Reali. Tri herë radhazi kampionët e Europës, pavarësisht emrit dhe talentit pa fund në skuadër, nuk ndihen më të sigurt në vetvete.

Trajneri Hulen Lopetegi dhe presidenti Florentino Perez mësohet se kanë nisur menjëherë të mendojnë se çfarë nuk shkon në skuadër. Mediat në Spanjë njoftojnë se tek Reali mendojnë që e vetmja mënyrë për të ndryshuar gjërat është të marrin përforcime. Flitet se duhet një qendërmbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues, edhe pse nuk jepen objektiva konkrete.

Gjithsesi, “Marka” rreshton disa kandidatë të mundshëm. Në sulm mendohet Rodrigo i Valencias (vjen për 60 milionë euro), Mauro Ikardi i Interit (100 milionë), Timo Verner (Lajpcig, 40-50 milionë euro), Levandovski (Bajern, 100 milionë euro), Mariano i Lionit. Tifozët preferojnë më shumë Marianon dhe Ikardin, diçka më pak Vernerin.

Për mesfushorin, do të duhej të kishte konflikte të mëdha, pasi ata që vlejnë janë Tiago Alkantara (Bajern, ish-Barcelona), Adrien Rabio i PSG-së (e kërkon edhe Barça), Milinkoviç-Saviç (Lacio), Kristian Eriksen (Totenhem), por edhe De Jongu i Ajaksit. Në mbrojtje flitet për Tejesin e Portos, Shkriniarin e Interit, Romanjolin e Milanit, Manolasin e Romës apo De Ligtin e Ajaksit.

Nga Reali janë larguar pikërisht lojtarë të tillë, një mbrojtës si Teo, një mesfushor si Kovaçiç, dhe një sulmues si Kristiano Ronaldo. Me CR7-ën, golat ishin të garantuar, dhe statistikat janë të qarta, që Reali kaloi kufirin e 100 golave në kampionat, në 8 nga 9 sezonet kur kishte në skuadër portugezin.

Sfidanti.al