Ejshër-Smith, mbretëresha e re europiane e sprintit!

Këta vite, më e mira ka qenë holandezja Dafne Shipers, por duket se stafeta po kalon në një dorë tjetër. Europiani i atletikës në Berlin konfirmoi një yll të ri të garave të shpejtësisë për femra, britaniken Dajna Ejshër-Smith (Dina Asher-Smith). Vajza 22-vjeçare triumfoi në dy disiplinat kryesore të sprintit, në100 e 200 metra, duke lënë prapa rivalen e lavdishme holandeze.

Fillimisht, ajo theu rekordin britanik në 100 metra me kohën 10”85 duke zënë vendin e parë e duke fituar medaljen e artë, më pas ia doli edhe në 200 metra duke dalë e para dhe duke vendosur rekordin britanik me kohën e shkëlqyer 21”89. Dajna është ende larg rekordeve europiane, të mbajtura nga Kristinë Arron në 100 metra (10”73) dhe Dafne Shipers në 200 metra (21”63), por gjithsesi ka shpresë që t’i thyejë.

Nëse fiton sonte edhe stafetën 4×100 metra, në të cilën Britania e Madhe është favorite, atëherë Dajna Ejshër-Smith bëhet e para britanike që merr 3 medalje të arta në një kampionat europian.

Sfidanti.al