Nuk terhiqet Modriç, do t’i kërkojë Perezit transferimin nga Reali?

Luka Modriç vazhdon të jetë objektivi kryesor i Interit, megjithëse presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, e ka bërë të ditur qartë se klubi madridas nuk ka ndërmend që ta shesë mesfushorin kroat. Perezi u tregua kategorik ditët e fundit, kur tha se, në qoftë se ndonjë klub do që ta blejë Modriçin, atëherë, ai duhet të nxjerrë nga “portofoli” 750 milionë euro. Sidoqoftë, dje, në Milano u pa Vllado Lemiç, menaxheri i Luka Modriçit, që kohët e fundit solli Shime Vrsalkon tek Interi, ndërkohë që “Gazeta delo Sport” vë në dukje se menaxheri në fjalë u konfirmoi “neroaxurëve” se Modriçi është i hapur për bisedime për shpënguljen eventuale të tij në “Xhuzepe Meaca”.

Javën e ardhshme, Modriçi, sikurse shkruan media spanjolle, do të zhvillojë një takim me presidentin e Realit dhe nga ky takim do të varet, nëse kryesia e klubit do ta lejojë ose jo Lukën që të largohet nga Reali. Interi, nga ana e tij, është gati që të nisë bisedimet me Realin, por, megjithatë, ai pret sinjal nga vetë Modriçi.
Sfidanti.al