Terek i Groznit duhet të jetë shumë i lumtur me mënyrën sesi e mori dhe sesi po ia merr frytet Bekim Balajt. Dy milionë euro u paguan për sulmuesin shqiptar në arkën e klubit kroat të Rijekës, por pak muaj pas transferimit duket sikur klubi i Çeçenisë ka bërë “bingo”. Shkodrani ka shënuar 8 gola në 13 ndeshje në Premier Ligën e Rusisë, duke qenë golshënuesi më i mirë dhe në formë të shkëlqyer. Tereku, falë edhe kontributit të tij, ndodhet në vendin e tretë dhe një kualifikim në Ligën e Europës do të thotë mundësi për të fituar miliona euro.
Në Grozni po shkëlqen edhe lojtari tjetër i Shqipërisë, Odise Roshi. Vlonjati ka dhënë 4 asiste, dhe ka shënuar një gol, duke e lënë pas periudhën e vështirë kur mbetej në stol dhe luante pak në Bundesligën e dytë gjermane. Pavarësisht disfatës me kombëtaren, ky sezon ka qenë shumë i mirë për mjaft lojtarë kuqezinj, mbi të gjithë për ata që luajnë në Rusi.
B. Kuka