Donald Tramp nuk di të bëjë boks, të paktën nuk është dhënë ndonjë lajm për këtë, as Majk Tajson nuk di të bëjë biznes. Gjithsesi, kjo nuk i ka penguar që të jenë miq, aq sa ish-boksieri e ndihmoi kandidatin për president në garën për Shtëpinë e Bardhë. Kuptohet, asgjë tjetër nuk e lidh “bishën e ringut” me “bishën e biznesit”, përveçse vetë biznesi, pra interesi. Tramp ka qenë promotor i disa ndeshjeve të “Majkut të Hekurt” në vitet 80-të, mes të cilave edhe të asaj ndaj Majkëll Spinksit në Atlantik Siti.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së u përpoq ta bënte pikërisht Atlantik Sitin qendrën e ndeshjeve të Tajsonit, por në atë kohë ndodhi ngjarja e rëndë me ish-Misin Zezak të Amerikës, Dizajër Uashingtonin. Boksieri u akuzua për përdhunim, prokurori kërkoi 20 vjet burg, ndërsa gjykatësja me gjithë famën e ashpërsisë për krime të tilla, e dënoi Tajsonin vetëm me 6 vjet, madje duke i dhënë mundësi të dilte për 2. Të vjen keq të lexosh gjëra të tilla për drejtësinë e një vendi si Amerika. Tramp nuk e la në baltë mikun e interesit. “Nuk besoj se Majk e ka përdhunuar atë vajzë, – tha ai në atë kohë, – nuk ka mundësi që ajo të shkojë dhe të kërcejë një ditë pas përdhunimit. Majk nuk kishte nevojë ta bënte, pasi kishte femra plot”. Tajson ia shpërbleu pas çerek shekulli.
Ka qenë vetëm një moment që këta të dy desh u zunë. Një ditë, Majk shkoi në shtëpinë e Trampit me një revistë ku ishte një foto e gruas së tij, Robin Givens, në jahtin e miliarderit. “Donald, ke nisur të shkosh me gruan time”, e pyeti ai. Tramp u përgjigj: Këto lajme më dëshpërojnë, ajo është gruaja jotë dhe është e ndershme, të jap fjalën që janë gënjeshtra”. Tajson e besoi, ndonëse disa vjet më vonë u nda nga gruaja.
B. Kuka