Vjen edhe momenti, Berluskoni u jep Milanin kinezëve në dhjetor!

Në 2 ose në 13 dhjetor. Këto janë datat e mbledhjes së asamblesë së aksionerëve të Milanit për të marrë vendimet finale të dhënies së klubit të madh italian tek investuesit kinezë. Presidenti Berluskoni po i afrohet tashmë vijës së finishit. Pas 30 vitesh si pronar kryesor dhe si numri 1 i klubit, ai ka vendosur më në fund të hapë krahun. Sukseset kanë qenë të mëdha, në Itali, në Europë dhe në Botë, por prej shumë vitesh burimi financiar nuk ishte i tillë që Milani të mbetej në majë.
Tifozët kuqezinj janë edhe ata në një udhëkryq, si klubi i tyre i dashur. Kinezët do të kenë paratë, por mbetet të shihet nëse do të kenë zotësinë që pati Don Silvio, që fitoi 5 Champions, 8 tituj në Serinë A, dhe shumë Superkupa të Europës e Kupa të Botës për klubet. Gjithsesi, ndërrimi i duarve do të bëhet dhe do të jetë jo pak i shtrenjtë, me vlerë qindra milionë euro. Pas Interit, ja edhe Milani, dhe të dy klubet e mëdhenj të kryeqendrës së Lombardisë do të kenë pronarë nga Kina. Globalizmi vazhdon, po ashtu rritja e fuqisë së shtetit aziatik.
B. Kuka