Skolari rishfaqet në skenën e futbollit; trajneri i ri i Palmeirasit

Luis Felipe Skolari rishfaqet në skenën e futbollit. Trajneri brazilian që ishte larguar nga Guangzhou në vitin 2017, u kthye në vendlindje për të marrë drejtimin e Palmeirasit, pasi mposhti konkurencën e Vanderlei Luksemburgos. Skolari mori vendin e Rodrigo Maçados të cilin drejtuesit e Palmeirasit e shkarkuan pas humbjes 1-0 me Fluminensen. Në një komunikatë të publikuar nga klubi brazilian, Luis Felipe Skolari firmosi me Palmeirasin një kontratë deri në vitin 2020.

Luis Felipe Skolari është trajneri i dytë me më shumë ndeshje në historinë e Palmeirasit. Ai e ka drejtuar këtë skuadër edhe në periudhën 1997-2000 duke fituar Kupën Libertadores, Kupën e Brazilit dhe Kupën Mercosour që tashmë nuk ekziston më. Më pas ai e drejtoi Palmeirasin në 2010-2012 kur fitoi vetëm Kupën e Brazilit.

sfidanti.al