Në verën e vitit 2003, kur Mançester Junajtidi po bënte përgatitjet para sezonit të ri të Premier Ligës, ai u ndesh në një ndeshje miqësore me Sportingun e Lisbonës, ku ra në sy një djalosh i talentuar që i tërhoqi vëmendjen trajnerit të atëhershëm të “djajve të kuq”, ujkut të vjetër, Aleks Ferguson. Ky i fundit i aktivizoi menjëherë njerëzit e tij në Portugali që të rregullonin transferimin te Junajtidi të këtij futbollisti të ri që, më vonë, do të profilizohej si një “bishë” e vërtetë futbolli.
Krisitiano Ronaldo në ndeshjen e tij të parë kundër Mançesterit “shëtiti” pothuajse lirisht përmes mbrojtjes së “djajve të kuq” që ishte e mjaftueshme që Fergusoni dhe njerëzit e tij të reagonin menjëherë. Mbas përfundimit të përgatitjeve, Junajtidi ra dakord me Sportingun e Lisbonës që Kristiano Ronaldo të vinte në “Old Traford” për 12,7 milionë euro që tani duken si “monedha të vogla”, duke pasur parasysh sesa vlen tani futbollisti portugez në treg.
Që blerja e atëhershme e Ronaldos ishte një veprim mjaft efikas, këtë e tregoi edhe fakti se ai qëndroi te Junajtidi gjashtë sezone, duke fituar gjithçka, ndërsa më pas u transferua te Reali i Madridit, ku aiqëndroi “diçka” më shumë, nëntë sezone, duke fituar një numër të jashtëzakonshëm trofesh dhe duke thyer rekorde individuale të ndryshme në La Liga, ku atë do ta mbajnë mend për një kohë të gjatë.
Kësaj vere, Ronaldo kaloi te Juventusi që pagoi për të rreth 110 milionë euro dhe me të cilin ai nënshkroi një kontratë katërvjeçare. Duke pasur parasysh statistikat që lidhen me emrin e Kristiano Ronaldos, doli se Fergusoni kishte plot të drejtë, kur tha, atëkohë, se “këtij djaloshi mund t’i vihet çdo çmim!”
Sfidanti.al