Kaliniçi refuzon medaljen e argjendtë: Unë nuk luajta në Botëror!

Nikolla Kaliniçi vendosi që të mos ta pranojë medaljen e argjendtë që Kroacia fitoi në Kupën e Botës të Rusisë, pasi, paraprakisht, lojtarët dhe stafi i trajnerëve të përfaqësueses kroate vendosën që t’i japin edhe atij medaljen e argjendtë, megjithëse ai u “përcoll” për në shtëpi, pasi refuzoi që të hynte si zëvendësues në minutat e fundit të ndeshjes së grupit mes Kroacisë dhe Nigerisë. Sipas gazetës “Sportski novosti”, sulmuesi i Milanit e refuzoi medaljen e argjendtë, duke deklaruar shkurt” “Faleminderit, nuk e dua, sepse unë nuk luajta në Rusi”.
Kaliniçi, në fakt, edhe në ndeshjen miqësore me Brazilin në Liverpul, para Botërorit, refuzoi që të hynte në lojë, duke thënë se kishte dhimbje në shpinë.
Rreth së ardhmes së këtij sulmuesi 30-vjeçar të Milanit ka spekulime, por, sidoqoftë, emri i tij është lidhur kohët e fundit me Atletikon që synon ta blejë atë dhe ku ai, nëse do të transferohet në Madrid, do të ketë si koleg bashkëlojtarin e tij në përfaqësuesen kroate, Shime Versalko.
Sfidanti.al