Besnikëri e dyfishtë, Hazar i ndarë mes Francës dhe Belgjikës

Ditën e sotme nuk ka asnjë diskutim. Ai është lojtar i Belgjikës dhe dëshiron të dalë kampion i botës për veten, për familjen, për shokët e ekipit dhe për të gjithë tifozët. Kjo do të thotë se Eden Hazar do të japë shpirtin në fushë për të mundur Francën në gjysmëfinale, veçse nuk ka qenë gjithnjë kështu.

Nuk mund të ishte ndryshe për një djalë të rritur në një familje frengjishtfolëse, që mbeti jashtë kombit francez për shkak të luftërave feudale të Mesjetës në Europë. Nuk mund të ishte ndryshe për djalin valonas, që u rrit duke ndjekur brezin e madh të Francës të vitit 1998. Ai brez i Zidanit, Deshampit apo Blankut doli kampion i botës, dhe kushdo mund të shikojë një Eden Hazar të vogël të veshur me fanelën e Francës (I pari djathtas në foto).

“Në atë kohë ishte fanela e Francës, jo ajo e Belgjikës, – shprehet numri 10 belg, – Belgjika kishte lojtarë shumë të mirë, por epoka ishte e Francës”. Lidhja e supertalentit me Francën u rrit kur ai kaloi tek Lila në moshën 14-vjeçare, ndërsa edhe sot ai ka shumë respekt për “gjelat”.

“Kam shumë respekt për të gjithë, por sidomos për Mbapenë, – pohon Hazari 27-vjeçar, – nëse kur ishte i vogël, Mbape shikonte videot e mia, sot jam unë që shoh videot e tij. Nuk e kemi parë kurrë diçka të tillë në futbollin modern”.

Sfidanti.al