Granit Xhaka, goli, shqiponja, dhe ndeshja më e veçantë e jetës!

Ishin momente botërore. i gjithë rruzulli u mor me shqiponjën shqiptare të Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, pa përjashtim mediat, tifozët dhe politika. Vetë protagonistët ishin më të qetë në reagimin e tyre pas ndeshjes së Botërorit, edhe pse gjithçka ishte e qartë si nënkuptim. Sidomos nga Graniti.

“Për mua, padyshim ishte ndeshje e veçantë, – nuk e mohoi ai, – Me mijëra njerëz më shkruajtën mesazhe, nga Zvicra, nga Shqipëria, nga Kosova. Fitorja ishte për familjen time, po ashtu festimi nuk ishte mesazh për kundërshtarin. Ishte për vendin ku janë rrënjët e prindërve të mi”.

Postimi i tij në FB ishte edhe më luftarak sesa fjalët para kamerës: “Po, Po, Po! Ne KURRË nuk dorëzohemi dhe GHITHMONE luftojmë! Edhe Xhakabum u kthye më në fund! Vëllai i tij, Taulant Xhaka, postoi në FB: Vëllezërit Xhaka, shoqëruar me foton e vëllait me shqiponjë, dhe të vetën në Beograd, në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Po ashtu, postoi videon ku puth ekranin e televizorit, ndërsa vëllai i tij shënon.

Ja edhe Xherdan Shaqiri. “Unë luaj mirë në çdo ndeshje, – tha ai, – Ishte ndeshje shumë pozitive dhe jam i lumtur që ia dolëm. Mendoj se Zvicra është një rival që duhet të merret parasysh. Synimi ynë kryesor është të kalojmë grupet dhe jemi në rrugën e duhur. Më pas, me të parë, me të bërë. Përsa i përket festimit tim, nuk kam dëshirë të komentoj, por në futboll ka gjithnjë emocione”.

Kapiteni i Zvicrës, Shtefan Lihtshtajner, e bëri edhe ai shenjën e shqiponjës, dhe u doli në krah shokëve të skuadrës. Ai theksoi se shqiponja nuk ishte problem për Zvicrën, pasi lojtarët janë me shtetësi të dyfishtë, dhe e kanë në kulturën e tyre. Kapiteni foli për provokime, që ishin të rënda edhe për ne të tjerët, por për ata ishte më keq”.

Sfidanti.al