Kryengritje e “vegjëlisë” në Botëror, Zvicra ndal Brazilin

A e merr vesh i pari të dytin? Mos vallë kemi ardhur tek shprehja se “këmbët po ngrihen t’i bien kokës”? Mund të interpretojmë si të duam, por është fakt që pretendentët kryesorë të Kupës së Botës po zhgënjejnë radhazi.

Brazili ishte e papritura më e fundit, pas atyre të Argjentinës e Gjermanisë, dhe pas suksesit të vuajtur të Francës. Të quajtur favoritë të Botërorit, “magjistarët” e futbollit nuk kaluan dot Zvicrën që pati në fushë 4 lojtarë me origjinë shqiptare, Xhemailin, Behramin, Xhakën e Shaqirin.

Kjo, edhe pse në pjesën e parë u dha përshtypja se pesë herë kampionët e botës nuk do të falnin. Kur Kutinjo shënoi sipas mënyrës së tij, shumëkush mendoi sesa gola do të pësonte Zvicra. Parashikim i gabuar, edhe pse gabimet më të mëdha nuk i bënë shikuesit, por gjyqtarët dhe ata që përdorin VAR-in.

Europianët barazuan me të nisur pjesa e dytë, por goli erdhi nga faulli i autorit të tij Zuber, që shtyu Mirandën përpara sesa ta dërgonte topin në rrjetë. Nuk mjaftoi kjo, por gjyqtarët gabuan për së dyti kur Brazili kërkoi penallti për Gabriel Zhezusin. Pamjet me përsëritje treguan qartë se 11-metërshi mund të jepej.

Në minutat e fundit, skuadra e trajnerit Tite bëri gjithçka dhe pati mundësi të shënonte. Dy herë Firmino, një herë Nejmar dhe një herë Miranda, i patën shanset për të shënuar, por nuk ia dolën. Një shqetësim edhe për shëndetin e Nejmarit, kur supertalenti ndjeu dhimbje në minutën e 58-të, por për fat vazhdoi ndeshjen pa probleme. Barazimi nuk është se e nxjerr nga pretendimet Brazilin, por thjesht i tregon se nuk është aq dominues sa mendonte, pavarësisht se meritoi të fitonte.

Në grupin E, pas ndeshjeve të para, kryeson Serbia me 3 pikë, ndjekur nga Brazili e Zvicra me nga 1 dhe Kosta Rika pa asnjë pikë.

Sfidanti.al