Çfarë zhgënjimi nga dy prej atyre që konsiderohen si pretendente të forta të Botërorit. Franca dhe Argjentina nuk është se ngrohën me lojën e tyre dhe tifozët vështirë se u bindën e u kënaqën, ndonësë përfundimin nuk e patën njëlloj.
“Gjelat” francezë të paktën fituan, duke shënuar një gol më shumë sesa skuadra e vështirë e Australisë, një formacion shumë i fortë fizikisht dhe në dyluftime, e goditje standarde. Franca, megjithatë duhet të falenderojë VAR-in që i dha penalltinë, ndërsa teknologjia e portës i konsideroi të rregullt golin e dytë. Nuk pati padrejtësi, por gjithsesi fati u duk se ishte me europianët.
Grizman shënoi me penallti në 58’, pastaj Jedinak barazoi po me 11-metërsh, ndërsa përcaktues u bë goli i Pol Pogbasë në 80’. Më në fund, mesfushori i Mançester Junajtidit u tregua i rëndësishëm në përfaqësuese.
Argjentina bindi edhe më pak, ndonëse gjatë gjithë kohës ishte në sulm ndaj Islandës, në grupin D. Sergio Aguero e kaloi nënkampionen e botës në epërsi në 19’, por avantazhi zgjati pak pasi Finbogason barazoi në 23’. Pas pushimit, në 64’, Mesi pati mundësi të siguronte fitoren, por humbi penalltinë, të cilën e priti portieri kundërshtar. Argjentina ia vështirësoi punën vetes për kualifikimin pasi duhet të luajë edhe ndaj Kroacisë dhe Nigerisë.
Sfidanti.al