Rivaliteti i madh në nivel klubesh mes dy futbollistëve më të mirë të së sotmes, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, duket se po kalon edhe në nivel përfaqësuesesh, duke pasur parasysh se Argjentina dhe Portugalia marrin pjesë në Botërorin e Rusisë. Kështu, pa filluar mirë kampionati botëror, kanë filluar të duken “shkëndijat” e para mes dy futbollistëve të lartpërmendur. Pyetjes së një gazetari se cilët futbollistë pret ai që të shkëlqejnë në këtë Mundial, Mesi, duke përmendur futbollistë yje të ekipeve pjesëmarrës në të, duket se “harroi” që të përmendte edhe Kristiano Ronaldon.
“Brazili ka Nejmarin dhe Kutinjon, Spanja ka Iniestën dhe Silvën. Gjermanët nuk kanë yje të mëdhenj, por kanë një ekip shumësolid. Belgjika ka Azarin dhe De Bryjin, kurse Franca – Grizmanin dhe Mbapen. Duket se në këtë turne marrin pjesë mjaft lojtarë të mirë”, theksoi Mesi, duke mos e përmendur emrin e Kristiano Ronaldos. Sido që të jetë, ka shumë mundësi që ky Botëror të jetë i fundit për Mesin dhe Ronaldon.