Në kohën e De Biazit, atëherë kur na bënë shiringën që gënjeshtra të na dukej si e vërtetë, këndonim, pa patur frikë nga bota, të bujshmen “ o sa mirë me qen shqiptar”. Tani, në kohën e Panuçit, ku zhgënjimi është ngjitur në altar, nëse do të kishim guxim që të këndonim prapë, teksti do të ishte kryekuput ironik. Mrekullia e 7-të e Kombëtares ka mbërritur pas ndeshjes me Ukrainën, ku kuqezinjtë thyen rekordin me shifra, por më shumë rekordin e imoralitetit sportiv. 7 gola në dy ndeshje, dhe prapë , dukeshin sikur kishin oreks për të pësuar gola të tjerë…
Porta kuqezi është zmadhuar frikshëm, si me porosi , kurse lojtarët tanë kanë shkuar përtej ylberit me deformimin e thellë që i bënë edhe asaj loje që na kishte mbetur nga italiani i parafundit, De Biazi . Një deformim spektakolar, tepër i dyshimtë për t’u pranuar se ka vetëm një emër dhe ai është trajneri Kristian Panuçi. Ndaj edhe media e oborrit po tregon një zell patologjik, për të shkarkuar gjithë malin e fajit tek italiani , me frikën se mos akuza ngjitet deri tek zbuluesii tij shqiptar, presidenti që fiton edhe kur humbasim. Tek “arkitekti”i madh i pokerit me top, që me stilin e tij biologjik, nga njëra anë sulmon trajnerin me ushtrinë tij të paudhë, kurse në anën tjetër del si engjëll mbrojtës për të shfajësuar trajnerin. Një film i vjetër, apo një teatër i vjetër që e shijuam me gjithë trajnerët e huaj..
Ndaj, kur pyesin tani, gjoja me zemër në dorë: do të mbetet apo do të largohet Panuçi, kjo nuk është gjë tjetër, veç vazhdim i “projektit”. Një projekt për të cilin duhen falenderuar për gjetjen, sepse shumica , kur erdhi Panuçi, kujtonin ndeshjet e mëdha me Milanin si futbollist, dhe as nuk e vrisnin se me debutuesin në stol do të ligjëronim gjëra të çuditshme në fushë. Pale kur mendon se kemi një ekip Kombëtar pa bosht etik, të cilit nuk i dridhet qerpiku kur tradhëton publikun e vet, që mbulon me flamuj të kuq turpet e tyre, e jo për një italian që, në fund të fundit, ka ardhur enkas, me fatin e fillestarit, për të na futur në epruvetë. Sigurisht, jo me kokën e tij…
Sfidanti.al