Mrekulli angleze: Fulhami “kap” biletën e fundit për në Premier Ligë

Fulhami “kapi” biletën e fundit dhe, sezonin e ardhshëm, ai do të luajë në Premier Ligën angleze. Ky ishte epilogu i ndeshjes që u luajt në stadiumin legjendar “Uembli”, ku “vartësit” e trajnerit serb, Sllavisha Jokanoviç, mundën 1-0 kundërshtarët e tyre të Aston Vilës, duke bërë të mundur kështu kthimin e tyre në konkurrimin më elitar anglez mbas katër vitesh mungese.

Moment kyç i ndeshjes që ka edhe aspektin e vet të rëndësishëm financiar, ishte ai në pjesën e parë, kur Tom Kerni, mbas një pasimi topi që mori nga Rajan Sesenjoni, tundi rrjetën e klubit nga Birmingemi. Në pjesën e dytë, nga min. e 70-të e më tej, Fulhami luajti me një lojtar mangët mbas nxjerrjes me të kuqe nga fusha të Odoit, por, megjithatë, Teri, Jedinaku dhe kompania e tyre nuk arritën që ta shfrytëzojë këtë dhe, kështu, ekipi londinez u ngjit në Premier Ligë.

Sa për kujtesë, krahas Fulhamit, në Premier Ligë, të drejtën që të luajnë sezonin e ardhshëm në Premier Ligë e kanë fituar, gjithashtu, Uollverhemptoni dhe Kardifi, kurse rrugën tëposhtë për në Championship nga Premier Liga e morën WBA, Stok Siti dhe Suonsi.

Sfidanti.al