I pafalshmi i madh Karius: Thjesht, nuk e kuptoj se çfarë më ndodhi!

Loris Karius nuk mund t’i përmbante lotët dhe, me një dhimbje të madhe, iu kërkoi falje tifozëve të Liverpulit për dy gabimet foshnjarakë që ai bëri në finalen e madhe të Champions-it evropian dhe që, në fakt, e ndihmuan Realin e Madridit që ta fitonte atë 3-1, duke i sigurar klubit madridas trofeun e 13-të të konkurrimit më elitar evropian. Portieri i Liverpulit i shokoi dy herë bashkëlojtarët e tij me reagimet e tij të pakuptueshme për një ndeshje të një kalibri të tillë, sikurse është një finale Champions-i. Duke pasur parasysh se dhimbja e tij me siguri që ka qenë e madhe mbas kësaj ndeshjeje tek ai sesa te të tjerët, reagimi i tij i parë ishte i shkurtër:

“Thjesht, nuk e kuptoj se çfarë më ndodhi. Më vjen kaq keq për bashkëlojtarët e mi, e kam fajin unë që ekipi ynë humbi në finale. Ata u përpoqën që të më ngushëllonin, por unë nuk mund ta shuaj dhimbjen që ndjej. Jam shumë i dëshpëruar”, ishin fjalët që nxori nga goja portieri i Liverpulit, Karius. Por është diçka shumë interesante se mbështetjen më të madhe ai e mori nga bashkëlojtari dhe rivali i vet në pozicionin e portierit, Simon Minjole:

“Kjo ndjenjë dhimbjeje është e tipit horror. Të gjithë ne, portierët, jemi ndodhur në situata të tilla dhe është shumë e vështirë që ta shpjegosh një diçka të tillë, pra, atë që ndodhi. Megjithatë, ne jemi një ekip, ne fitojmë të gjithë bashkë dhe humbasim të gjithë bashkë, si ekip”, vuri në dukje Minjole.

Sfidanti.al