Qëkur erdhi në “Old Traford”, kësaj vere, trajneri portugez i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, vendosi që t’i mbajë të gjithë mesfushorët që gjeti në ekip, me përjashtim të Bastian Shvainshtaigerit, kështu që ai mund t’i ndërrojë ata, sa herë që e sheh të nevojshme, por, sidoqoftë, është një futbollist mesfushor që nuk ka humbur asnjë ndeshje, kur ka luajtur. ManU-ja, pas një serie ndeshjesh të keqia dhe humbjesh, uikendin e kaluar, zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në “Liberti”, duke mundur 3-1 Suonsi Sitin, me gola të shënuar nga Pol Pogba dhe Zllatan Ibrahimoviçi (2).
Por, megjithatë, në këtë ndeshje, duhet të veçohet një futbollist dhe ky është Majkëll Kerik. Ky anglez 35 vjeç, deri tani, ka luajtur gjashtë ndeshje për ManU-në dhe të gjitha këto ndeshje “djajtë e kuq” i kanë fituar. Këtë fakt, me siguri, që e di edhe vetë Murinjo.
Megjithëse ky lojtar sjell siguri të madhe në mesfushë, meritat u shkojnë më shpesh Pogbas dhe Huan Matës, pasi ata kanë një liri më të madhe për të luajtur dhe, kështu, bien më shumë në sy. Ndoshta, problem përbën mosha e tij dhe Keriku nuk mund të luajë në çdo ndeshje, por, sidoqoftë, ai meriton një minutazh më të madh në fushë.