Kur fiton një trofe kaq të vjetër, kënaqësia është vërtet e madhe, e thellë. Kur thuajse shpëton një sezon, pasi një kupë është gjithnjë një shpëtim, lehtësimi të bësh të ndihesh mirë me mendje dhe me zemër, ndërsa kur mendon se po largohesh me kokën lart, të bën krenar.
Antonio Konte i provoi të gjitha këto, dhe i vërtetoi Anglisë e gjithë botës se, edhe në momentet më të vështira të jetës, ai mbetet një luftëtar, një fitues edhe kur humb. Jo në stilin e mrekullueshëm të fantazisë maksimale të Pep Guardiolës, as në mënyrën e jashtëzakonshme “heavy metal” të Jurgen Klopit, apo sipas parimeve të Jup Hajnkesit. Gjithsesi, besnik i “patentës” së tij prej Robin Hudi.
Një gol i Eden Hazarit mjaftoi që Çelsi i tij të triumfonte në finalen e Kupës së Anglisë në “Uembli” ndaj Mançester Junajtidit, një tjetër sfidë e fituar ndaj rivalit të tij të hidhur, Zhoze Murinjo.
Konte me shumë gjasa do të shkarkohet nga i paduruari dhe njeriu me krenari të sëmurë, Roman Abramoviç, në një tjetër dëm që mund t’i bëhet klubit londinez, gjithsesi pas titullit kampion të vjetshëm, ja ku u mor trofeu i dytë më i rëndësishëm kombëtar, simboli i garës së futbollit më të vjetër në botë, themeluar në 1871, plot 147 vjet më parë.
Çelsi pasuroi kabinetin e trofeve me kupën e 8-të në histori (Arsenali mban rekordin me 13), por fatkeqësisht nuk do të luajë në Champions sezonin e ardhshëm. Kjo mund të ndikojë më shumë në fatin e trajnerit sesa suksesi përballë mbi 87 000 spektatorëve në “Uembli”.
Sfidanti.al