Nuk dihet nëse në ndonjë javë të Superligës, të dy kryesuesit kanë humbur njëkohësisht.
Ndodhi në të parafundit, kur Skënderbeu e Kukësi pranuan disfatën, përkatësisht përballë Luftëtarit e Vllaznisë.
Dy ekipeve të para nuk i hynte në punë as edhe një pikë, ndërsa kundërshtarëve u duhej fitorja, secilit për hallet e veta.
Po ashtu, Flamurtarit nuk i duhej suksesi për asgjë, ndërsa Partizanit po që i duhej fitorja, pasi fjalët ishin që Laçi mund t’ia dilte në fushën e Kamzës.
Sa për këtë të fundit, thashethemet ishin të frikshme, dhe vetë klubi kishte deklaruar se kishte tentativa për të blerë lojtarët kamzalinj.
Përfundimi ishte 2-1 për kurbinasit, që kombinuar me triumfin e Vllaznisë, bënë që shkodranët të mbeten me shpresë për mbijetesë në Superligë, dhe që Kamza të rrezikojë tani seriozisht rënien.
Teutën nuk po e fusim fare në këtë llogari, pasi e siguroi matematikisht Superligën.
Fitoi 6-2 ndaj Lushnjes, ndërsa prej javësh të tëra, çdo analist e specialist mbeti duke thënë se durrsakët nuk do të binin nga kategoria.
Një parandjenjë tepër e fortë dhe kolektive kjo.
Me Skënderbeun kampion e Kukësin të garantuar si të dytin, në renditje për Europën pretendojnë ende Luftëtari, Partizani e Laçi.
Në javën e fundit, Kamza shkon në fushën e Partizanit, që nuk dihet nëse do të luajë lehtshëm si ndaj Teutës apo fort si kundër Vllaznisë.
Shkodranët, ndërkaq, shkojnë në fushën e Skënderbeut, në ndeshjen teorikisht më të zorshme, por shkalla e vështirësisë ndryshon papritmas dhe ndjeshëm pikërisht në fund të sezonit.
Java 35: Luftëtari-Skënderbeu 3-1, Flamurtari-Partizani 1-2, Vllaznia-Kukësi 2-1, Teuta-Lushnja 6-2, Kamza-Laçi 1-2.
Renditja: Skënderbeu 72, Kukësi 62, Luftëtari 56, Partizani 53, Laçi 53, Teuta 46, Flamurtari 45, Kamza 43, Vllaznia 41, Lushnja 11.