Atletiko fiton Ligën “e saj” të Europës, Grizman vendos në Francë

Duhej të ishte një francez që të ndante drejtësinë në Francë, dhe kështu ndodhi. Ashtu si tankistët e gjeneralit Leklerk që hynë të parët në Paris në 1945, kështu edhe Antuan Grizman mbrojti nderin e vendit të tij, edhe pse e fitoi Ligën e Europës në emër të spanjollëve të Atletikos së Madridit.

Sulmuesi, që vitin e ardhshëm pritet të jetë tek Barcelona, e tregoi mirë se e vlen klauzolën 100 milionë euroshe, duke shënuar dy gola e duke mos i lënë shans Olimpikut të Marsejës, rivalit francez, në stadiumin e Lionit. Grizman realizoi dy herë pikërisht në stadiumin që më parë ishte i tiji, përpara sesa të shkonte në Spanjë.

Atletiko, edhe pse pa trajnerin Simeone në stol (të pezulluar), respektoi parashikimet si favorite dhe fitoi aq thellë, sa ç’kishte humbur në 1986 finalen e Kupës së Kupave ndaj Dinamos së madhe të Kievit të Valerij Lobanovskit.

Ishte Gabi që shënoi golin e tretë për një ekip të madh, edhe pse me financa shumë më të dobëta sesa të mëdhenjtë e vërtetë si Reali, Barça, Bajerni apo Mançester Junajtidi. Kjo ishte Liga e tretë e Europës për Atletikon që barazohet me emra të shquar si Juventus, Liverpul apo Inter, ndërsa mbi të gjithë mbetet Sevilja me 5 kupa.

Ekipi fitues ishte ky: Oblak, Vrshaljko (Huanfran 46’), Gimenez, Godin, Lukas, Korrea (Tomas 88’), Gabi, Saul, Koke, Grizman (Torres 90’), Diego Kosta. Tr. Burgos (Simeone).

Sfidanti.al