Bosi i Totenhemit, Daniel Levi, është padyshim një njeri i zgjuar. Miliarderi me origjinë hebreje, e kupton mirë se do të duhet që disa gjëra të ndryshojnë në mënyrë që të mbajë një nga trajnerët më të mirë të Europës, atë që për të tretin vit radhazi e renditi ekipin e tij mes 3 të parëve në Premier Ligë, diçka që nuk kishte ndodhur për dekada.
Ky trajner, Maurisio Poçetino, tashmë do të vendosë disa kushte për të vazhduar detyrën në klubin londinez. Së pari, ai kërkon një buxhet më të madh për të forcuar skuadrën dhe për të synuar trofe, diçka që ende nuk ka mundur ta bëjë. Mediat shkruajnë për 100 milionë paund stërlina të kërkuara nga argjentinasi, ndërsa jepen emrat e Antoni Marsialit, Vilfred Zahasë apo Rajan Sesenjon. Po ashtu duhen mbajtur Harri Kejn apo Dele Ali, ndërsa drejt largimit janë Alderveireld, Rouz, Dembele, Jorente apo Sisoko.
Tema tjetër e bisedës mes Levit dhe Poçetinos do të jetë ajo e rrogës. Trajneri merr 5.5 milionë paundë në sezon, diçka aspak e vogël, por më pak sesa rivalët e tij kryesorë në Premier Ligë. Guardiola e Murinjo janë afër shifrës 15 milionë paundë, Venger e Konte fitojnë nga 9 milionë, ndërsa Klop i Liverpulit merr 7 milionë në vit. Diçka, pra, duhet të ndryshojë.
Sfidanti.al