Kevin Durant duket se po e kalon me sukses periudhën e “karantinës”, dhe Golden Stejt po bind gjithnjë e më shumë. Ylli i larguar nga Oklahoma në verë, po përshtatet sa më shumë kalojnë ndeshjet dhe nënkampionët po “ia bëjnë me sy” titullit, ndonëse është shumë herët për parashikime.
Plot 28 pikë u realizuan nga Durant në ndeshjen në Oklend ndaj Dallasit, dhe shtatlarti nuk ngurroi të kapte edhe 10 topa në tabela dhe të shërbente 4 asistë. Stefën Kërri, absolut sezonin e kaluar, duhet të mësohet të ndajë lavdinë me KD-në. Ai shënoi 24 pikë këtë herë, në fitoren e thellë 116-95 ndaj Maveriksit që sërish nuk e kishte veteranin gjerman, Dirk Novicki. Kërri shërbeu edhe 5 asitë.
Klej Tompson është pjesëtari tjetër i “tre mosketierëve” të Golden Stejtit dhe i qendroi besnik emrit të tij, duke shtuar 20 pikë në rreth 28 minuta lojë (plus 4 asistë). Dallasi nuk ishte kundërshtar i denjë për kalifornianët, të cilët po mbajnë tashmë hapin e Klivlendit, ndonëse kanë një humbje më shumë sesa kampionët.
B. Kuka