Hjuston-Golden Stejt, finalja e parakohëshme e NBA-së

Ishte dueli që të gjithë e prisnin. Nëse heq mënjanë Lebron Xhejmsin, NBA nuk ka gjë më të mirë për të ofruar sesa Hjuston Rokits dhe Golden Stejt Uorriors. Dy skuadrat më të mira të Perëndimit do të ndeshen në finalen e Konferencës, për të fituar titullin e vogël, dhe për të dalë në finalen e madhe të basketbollit amerikan.

Nuk ka në Amerikë dy ekipe me më shumë talente, dhe më shumë të suksesshme sesa këta. Në një krah Xhejms Harden, Kris Pol e Klint Kapela, në krahun tjetër Stefën Kërri, Kevin Durant, Klej Tompson e Drejmond Grin. Asnjë kundërshtar nuk ka qenë në gjendje të matej me Golden Stejtin në 3 vitet e fundit, me përjashtim të Klivlendit të Lebronit që përmbysi dizavantazhin 1-3 për të fituar titullin në 2016.

Gjithsesi, Hjustoni i trajnerit “europian” Majk D’Antoni po luan me stilin e Golden Stejtit, me më shumë lojtarë të shkurtër dhe të shkathët. Po ashtu, me gjuajtjet për 3 pikë që vijnë nga të gjitha drejtimet. Gjatë sezonit të rregullt, Hjustoni e Golden Stejti ishin ekipet më të mirë në sulm, gjatë plej ofit kanë qenë ekipet më të mirë në mbrojtje.

Harden, Pol, Grin, Kërri, Durant e Grin kanë fituar së bashku medalje të arta në Lojrat Olimpike dhe në Botërorë, të veshur me fanelën e SHBA-së, ndërsa tani do të jenë përballë për titullin e madh të NBA-së. Hjustoni do të ketë epërsinë e faktorit fushë, ndërsa kampionët do të kenë avantazhin e përvojës.

Hjuston synon finalen e parë që nga viti 1995 kur fitonte me Hakim Olaxhuonin, ndërsa Golden Stejti do të kërkojë finalen e katërt radhazi, dhe titullin e tretë në 4 vjet. Kush mund të fitojë? Në Amerikë i japin kampionëve një epërsi të lehtë.

Sfidanti.al