Milani pësoi një humbje bindëse 4-0 ndaj Juventusit në finalen e Kupës së Italisë, në një ndeshje, ku më i palavdishmi ishte portieri “rosoner”, Xhanluixhi Donaruma, që bëri disa gabime që ndikuan drejtpërdrejt te rezultati dhe, si pasojë, edhe te fituesi i saj. Ka shumë mundësi që kjo ndeshje të jetë finalja e fundit e këtij portieri tinejxher me bluzën kuqezi, duke pasur parasysh se e ardhmja e tij në “San Siro” është shumë e paqartë, ndërsa si dëshmi për këtë mund të shërbejë angazhimi i Pepe Reinës me mjaft përvojë.
Sidoqoftë, mesazhin e tij lidhur me situatën në fjalë dërgoi edhe trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo:
“Momentalisht, Xhixhio është portieri ynë, kurse me gjërat e tjera le të merret klubi. Unë jam trajner dhe punoj me lojtarët që kam në dispozicion. Sa më përket mua, Donaruma është një nga portierët më të mirë në botë. Sidoqoftë, i takon klubit që të marrë vendimin përkatës”, vuri në dukje trajneri i Milanit.
Sfidanti.al