“Korriere delo Sport” shkruan se trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo, synon që të marrë në radhët e ekipit të vet disa lojtarë cilësorë, ndërkohë që dëshira më e madhe e tij është që të sjellë te Milani Manzukiçin nga Juventusi. Futbollisti kroat, në fakt, refuzoi në janar që të shkonte në Kinë dhe klubi kuqezi do që ta blejë atë nga Juvja për 20-25 milionë euro. Në këtë mënyrë, Gatuzo do të përfitonte një sulmues me përvojë që është në gjendje që të kryejë mirë edhe detyra në mesfushë e mbrojtje.
Në mesfushë, Gatuzos do t’i shkonte për shtat Maruan Felaini, të cilit, në fund të këtij sezoni i mbaron kontrata te Junajtidi dhe ai mund të përfundojë si lojtar i lirë. Sidoqoftë, për këtë futbollist belg po interesohen disa klube të mëdhenj, kështu që Milani duhet “të luajë” mirë taktikisht që ta tërheqë atë në “San Siro”.
Futbollisti i krahut, Balde Keita, ka treguar cilësi të mira, qëkur ai luante te Lacio, kurse, këtë sezon, ai ka luajtur mirë edhe me Monakon, duke shënuar tetë gola dhe 11 asiste. Milani mund t’i ofrojë klubit francez Andre Silvën që ishte një zhgënjim i plotë në këtë sezon, që të marrë Keitën.
Sfidanti.al