Macola legjendar: Interi  s’duhet të ankohet, Juventusi fitoi me të drejtë!

Derbi fantastik, me dy përmbysje spektakolare, mes Interit të Milanit dhe Juventusit vazhdon ende ta trazojë opinionin publik sportiv italian. Përfaqësuesit dhe tifozët e ekipit humbës fajin për humbjen (2-3) ia ngarkojnë gjyqtarit Orsato që, sipas tyre, e ndihmoi Juven, ndërkohë që një pluhur të madh ka ngritur edhe biseda e përgjuar mes trajnerit Masimo Alegri dhe gjyqtarit të 4-t të ndeshjes, Taljavanto, që pretendohet se tregon “marrëveshjen” paraprake mes klubit juventin dhe gjyqtarëve të ndeshjes së lartpërmendur.

Por, sidoqoftë, një mendim krejt të kundërt ka legjenda interiste e futbollit, Sandro Macola, që për humbjen ngarkoi me faj ekipin e vet:

“Për humbjen e Interit tim nuk ka faj gjyqtari. Nuk pati asnjë ‘vjedhje’, Juventusi fitoi me legjitimitet, ndërsa gjyqtari e nxori jashtë me të drejtë Vesinon. Ne luajtëm mirë, por në fund gjërat ndryshuan. Do t’i rekomandoja Ikardit që të kthehet mbrapsht dhe të ndihmojë mbrojtjen, ndërkohë që duhet ta tërheqë nga bluza edhe Perishiçin”, vuri në dukje Macola që e ndoqi ndeshjen nga tribuna dhe të cilit, para saj, si edhe tre ish-futbollistëve të tjerë të Interit, iu dhanë mirënjohje speciale nga ky klub milanez.

Sfidanti.al