Obradoviçi për herë të 17-të në “Final Four”, po cili është sekreti i madh…

Trajneri i Fenerbahçes, Zhelko Obradoviç, vuri në dukje se agresiviteti i ekipit të tij ishte kyçi i triumfit mbi Baskonjën në ndeshjen vendimtare që u luajt në Vitoria. Fenerbahçja që është kampione aktuale e Evropës, e eliminoi, mbas katër ndeshjeve të zhvilluara (3 fitore, 1 humbje) Baskonjën në fazën çerekfinale play off, duke siguruar, kështu, pjesëmarrjen në turneun “Final Four” (Katërshja e fundit) që do të zhvillohet më 18-20 maj në Beograd.

Gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme, kjo është hera e 17-të që trajneri serb i lartpërmendur do të marrë pjesë në turneun final të konkurrimit evropian më elitar, të cilin ai e ka fituar plot nëntë herë!

“Mbas ndeshjes së parë që ne zhvilluam këtu, në Vitoria, ne bëmë një analizë të thellë dhe vendosëm se agresiviteti është kyçi që do të na hapë neve derën për në ‘Final Four’. Ne duhet të luanim me agresivitet si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje”, vuri në dukje Obradoviçi, duke shtuar: “Ne mposhtëm një ekip të shkëlqyer që di të luajë në çdo moment, që ka kualitet, basketbollistë mjaft të mirë dhe, ajo që është më e rëndësishmja, ata luajnë si një ekip i tërë. Me Baskonjën ishte një seri mjaft e vështirë ndeshjesh, por ne e merituam kualifikimin”, tha Obradoviçi, Feneri i të cilit, më 18 maj, në Beograd, në gjysmëfinale do të ketë si kundërshtar Zhalgirisin sensacional, të drejtuar nga Sharunas Jasikjeviçiusi i jashtëzakonshëm.

Sfidanti.al