Kampionët humbin një betejë, por jo luftën, apo jo, Juventus?

Ishte minuta e 86-të në “San Siro” dhe Juventusi dukej se po shkonte drejt kapitullimit pa kushte. Seria A nuk do të ishte më “pronë” e skuadrës më të fortë, por me shumë gjasë do të kalonte në duart e fuqisë së re, me emrin Napoli.

Gjithsesi, kampionët nuk e kishin thënë ende fjalën e fundit përballë Interit, ose të paktën nuk i kishin bërë ndeshjes “yzmetin” e fundit. Kur ia bënë, rezultati ishte përmbysur në 3-2 dhe fati i titullit ishte sërish në duart e tyre. Huan Kuadrado detyroi Shkriniarin të shkaktonte autogol në 87’ dhe Gonzalo Higuain i dha fund “agjërimit” prej shumë ndeshjesh, për të shënuar ndoshta golin më të rëndësishëm të sezonit.

Në të vërtetë, jo të gjithë kishin besim tek Juventusi i Alegrit, sidomos pas humbjes me lojë të dobët ndaj Napolit. Sidoqoftë, kjo skuadër po tregon këtë edicion një cilësi të re, arrin të reagojë kur vihet me shpatulla pas murit. Ashtu bëri pas ndeshjes së parë tepër të dobët në Champions ndaj Totenhemit, duke u kualifikur, ashtu bëri pas katastrofës 0-3 ndaj Realit në Torino, duke qenë fare pranë gjysmëfinaleve, kështu bëri edhe tani pas humbjes me Napolin.

Me Kielinin në stol, me Barxalin në vend të Benatias, dhe me Paulo Dibalën po në stol për t’i bërë vend Mario Manxhukiçit, Juves sërish nuk i mungoi gjë. Kaloi shpejt në epërsi me golin e Dagllas Kostës, gjeti epërsinë numerike kur Vesino doli me të kuqe (të dy vendimet me ndihmën e VAR-it), ndërsa iu anulua një gol në 45’, për pozicion jashtë loje (sërish VAR-i).

Drama ishte lënë për pjesën e dytë, fillimisht me Interin shembullor që përmbysi shifrat me 10 vetë, por që nuk pati “benzinë” deri në fund. Fitorja bëri që Juventusi të shkëputej në +4 pikë ndaj Napolit që do të luajë në fushën e Fiorentinës, ndërsa Interi rrezikon seriozisht kualifikimin për në Champions, duke pasur 67 pikë, 3 më pak se Roma, dhe 1 më shumë se Lacio që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e saj.

Sfidanti.al