Nëse do t’i thoshim dikujt se Kristal Abazaj ka shënuar gol dhe Luftëtari ka mundur Flamurtarin, padyshim që ai do të besonte, por nëse do t’i thonim se Lushnja i ka marrë pikë Partizanit, do të na damkoste menjëherë si gënjeshtarë.
Të dyja këto janë të vërteta, dhe janë përfundimet e ndeshjeve të sotme të Superligës që duket se kualifikuan Luftëtarin për në Europë, dhe lanë pa kupat kontinentale dy klubet e shquar shqiptarë.
Në Gjirokastër, Kristal Abazaj shkëlqeu duke shënuar të dy golat, në fitoren 2-1 të vendasve ndaj vlonjatëve. Ai realizoi që në minutën e parë dhe pastaj në të 32-ën, ndërsa Flamurtarit nuk i mjaftoi goli i Nedeljkoviçit në 53’.
Në Lushnje, u desh një gol i Bathës (që mund të largohet nga të kuqtë), që Partizani të shpëtonte nga humbja. Barazimi erdhi në minutën e 89-të, ndërsa në të 69-ën, Pepa kishte shënuar për lushnjarët me penallti.
Pas 31 ndeshjeve të luajtura nga katër ekipet, renditja për ta është kjo: Luftëtari është i treti me 50 pikë, Partizani i katërti me 46 (ka ende shpresë për në Europë), Flamurtari ka 43 pikë në vend të gjashtë, ndërsa Lushnja ka 11 pikë, pasi fitoi 1 pikë pas 12 javësh me vetëm humbje.
Sfidanti.al