Paris Sën Zhermen nuk gjen qetësi; tifozët ultras ‘shënjestrojnë’ Nejmarin

Nejmar Xhunior duhet të ishte beniamini i tifozëve të Paris Sën Zhermenit, por është kthyer në shënjestrën e kritikave të tyre. Sjellja e tij gjatë gjithë këtyre muajve nuk është pëlqyer madje është cilësuar si mungesë respekti në drejtim të kampionëve të saposhpallur të Francës. Në një komunikatë në rrjetet sociale, Grupi Ultras i Paris Sën Zhermenin hodhën shigjeta të hidhura kritikash ndaj Nejmarit por në mënyrë indirekte.

‘Pas ndeshjes për te ardhur keq kundër Realit të Madridit, llastimet për administrimin e dëmtimit larg qytetit tonë dhe mungesa e madhe e respektit të treguar kundrejt tifozerisë  në fushën e lojës apo në rrjetet sociale, ne u kërkojmë lojtarëve tanë më shumë moderim e sidomos RESPEKT në drejtim të institucionit që përfaqëson Paris Sën Zhermenin-theksohet në komunikatën e Grupit Ultras të klubit francez- ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësit tuaj të parë, por nuk do të rrimë duarkryq e të shohim kur shkelet me këmbë nderi i klubit tonë. Mblidhni veten, durimi i popullit kuqeblu është në limite’.

Tani ngrihet pyetja; Si do të reagojë Nejmari?. Faza e riaftësimit të tij që po e bën në kushtet më luksoze të mundshme po mbaron dhe Kupa e Botës po afron.Gjithsesi llogaritë mes tij dhe tifozerisë së Paris Sën Zhermenit janë ende të hapura dhe nuk dihet nëse ato do të mbyllen apo jo.

sfidanti.al