27 vite më parë, qielli u hap mbi Beograd,..  stadiumi shpërtheu!

Si sot, 27 vite më parë, më 1991, Crvena Zvezda, me të cilën, atëkohë, luanin Robert Prosinecki, Dejan Saviçeviç, Sinisha Mihajloviç, Darko Pançev, etj., me në krye trajnerin Ljupko Petroviç, arriti suksesin më të madh të deriatëhershëm në historinë e këtij klubi të njohur të Beogradit, pasi, duke eliminuar në gjysmëfinale Bajernin e Myniuhut, ajo doli në finale të Kupës së Kampioneve të Evropës, ku u përball me Olimpikun e Marsejës.

Kështu, para fiks 27 vitesh, në stadiumin e njohur “Marakana” të Zvezdës në Beograd, të mbushur plot e përplot, kishte ardhur që të luante ndeshjen revansh Bajerni i madh i Myninut, ndërkohë që ndeshjen e parë, jashtë fushës së vet, ekipi beogradas e kishte fituar 1-2 me gola të shënuar nga Pançevi dhe Saviçeviçi. Pritej që ndeshja në Beograd të ishte një spektakël i vërtetë që ashtu edhe u bë. Zvezda kaloi në avantazh me një gol të shënuar nga Sinisha Mihajloviçi që ekzekutoi fenomenalisht një goditje të lirë jashtë zonës 16-tshe, por gjermanët shpejt u kthyen në lojë, duke shënuar dy gola brenda pesë minutave (62’, 67’) dhe duke e bërë rezultatin 2-1 në favor të tyre. Dhe, atëherë, ndodhi ajo që ndodhi.

Në min. e 90-të, djemtë e Petroviçit shënuan gol, në fakt, autogol i gjermanëve që, me të vërtetë, e eksplodoi “Marakanën” beogradase, pasi rezultati 2-2 çoi Crvena Zvezdën në finalen e Kupës së Kampioneve të Evropës që u zhvillua në Bari të Italisë. Sot e kësaj ditë, jehojnë akoma fjalët e paharrueshme që tha, atë ditë, komentatori legjendar i RTB-së, Millojko Pantiç, mbas shënimit të golit të barazimit nga Zvezda: “Qielli u hap mbi Beograd, stadiumi shpërtheu!”.

Cvezda, atë vit, u shpall kampione e Evropës, pasi mundi në finale me penallti, 5-3, Olimpikun e Marsejës, ndërsa e gjithë ndeshja kishte përfunduar në barazim 0-0.

Sfidanti.al