Ramosi mbron Zidanen dhe provokon plot helm Murinjon

Kapiteni i Realit të Madridit, Serhio Ramos, e shfrytëzoi fitoren 1-2 të ekipit të tij ndaj Bajernit të Mynihut në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions-it, në “Alianc Arena”, që të marrë në mbrojtje trajnerin e tij, Zinedin Zidane, në adresë të të cilit, kohët e fundit, ka pasur kritika të shumta, pavarësisht nga sukseset e mëdha që ai ka arritur, që nga ardhja e tij te klubi “mbretëror”, më 2016, kur u ul  në stolin e drejtimit të Realit. Zidane, brenda një kohe të shkurtër, e konsolidoi Realin që, vetëm pak muaj më vonë, fitoi titullin e kampionit të Evropës. Vitin pasardhës, Zidane e udhëhoqi Realin drejt sukseseve edhe më të mëdha, duke fituar Primerën, ndërkohë që “Los Blankosit” (të bardhët) u bënë ekipi i parë që arriti ta mbrojë titullin e kampionit të Evropës.

Por, gjatë këtij sezoni, forma e Realit ra dhe ai i humbi shanset shpejt që ta mbronte titullin e kampionit të Spanjës, dhe kështu nisën kritikat, njëra mbas tjetrës, në adresë të trajnerit Zidane, madje, u tha se ai ndodhej në prag të shkarkimit.

Por, tani, gjërat kanë ndryshuar dhe Reali ndodhet një hap larg finales së tretë radhazi në Champions dhe Ramosi e shfrytëzoi triumfin ndaj Bajernit që të mbronte Zidanen dhe të shpotiste Murinjon.”Trajnerët te Reali, në përgjithësi, janë kritikuar dhe do të kritikohen, por unë, në këtë ekip, kam kaluar shtatë vite pa fituar titullin e kampionit të Evropës dhe trajneri ose trajnerët që kanë drejtuar, atëkohë, Realin, në përgjithësi, nuk janë kritikuar! Kjo vlen, sidomos, për një emër”, vuri në dukje kapiteni i Realit, duke aluduar për “Specialin”.

Sfidanti.al