Pogba do largohet, sherri me Zhozen ngjan me atë Fergi-Bekam

Fati i Pol Pogbasë duket se është i përcaktuar, edhe pse mbetet ende një shpresë fare e vogël që rrjedha e ngjarjeve të ndryshojë. Në Angli e krahasojnë konfliktin e tij me Zhoze Murinjon, me sherrin e famshëm me Sër Aleks Fergusonit dhe Dejvid Bekamit, i cili përfundoi me largimin e yllit anglez.

Burime në klub pohojnë se Murinjos i ka ardhur në majë të hundës me sjelljen e mesfushorit francez i cili, sipas këtyre burimeve, dëshiron të dëgjohet më shumë se shokët, ndërsa nuk i pret aspak mirë kritikat që i bëhen. Pavarësisht se Murinjo cilësohet si mjeshtër për të marrë maksimumin nga lojtarët, kjo nuk po ndodh me Pogbanë, dhe vetëm ndonjë mrekulli mund ta mbajë atë në “Old Traford”.

Bekam u transferua tek Reali në 2003 për 37 milionë euro, ndërsa Junajtid do të kërkojë sot shumë më tepër për Pogbanë. Ylli i blerë për 105 milionë euro, besohet se nuk do të lejohet të largohet për më pak se 160 milionë, pasi drejtuesit e klubit duan që transferimi të jetë në të njëjtin nivel me ata të Nejmarit, Mbapesë apo Kutinjos.

Sfidanti.al