Ç’ndodh tek Barcelona, “gjyq” i lojtarëve për Valverden!

Disfata në fushën e Romës në Champions la një njollë të pashlyeshme në sezonin e Barcelonës. Jo vetëm kaq, por ajo disfatë bëri që trajneri Ernesto Valverde të kalonte një nga momentet më të vështira të karrierës së tij. Menjëherë pas përfundimit, dhe eleminimit të katalanasve, futbollistët kryesorë iu drejtuan teknikut pa asnjë lëkundje duke i drejtuar gishtin si fajtor.

“Shef, kjo ndeshje ishte për lojtarë të fortë fizikisht, jo për formacionin me të cilin luajtëm ne”, – ishin fjalët e tyre. Besohet se yjet kryesorë si Mesi, Iniesta, Pike apo Buskets mund të kenë folur në emër të gjithë skuadrës. Jo vetëm kaq, por sipas mediave spanjolle, lojtarët dyshojnë në aftësinë taktike të Valverdes, edhe pse vlerësojnë lart aftësinë e tij për të komunikuar me futbollistët.

Vetë Valverde e pranoi fajin e tij në deklaratat pas ndeshjes, ndërsa mësohet se i dëgjoi lojtarët e tij, pa u dhënë një përgjigje aty për aty. Gjithsesi, ai nuk është i pari trajner i katalanasve që eleminohet nga Championsi, ndryshimi i vetëm me Rajkardin, Guardiolën apo Luis Enrikes është që ata e fituan Ligën e Kampionëve, ndërsa ai nuk e ka bërë ende.

Sfidanti.al