Cili flet në emër të tij? Kapelo i jep fund karrierës si trajner..

Trajneri legjendar italian, Fabio Kapelo, i hodhi poshtë informacionet se ai ka pranuar që të marrë përsipër që ta drejtojë përfaqësuesen e Italisë në ciklin e ardhshëm kualifikues, për më tepër ai njoftoi se i jepte fund karrierës së tij si trajner.

“Unë në stolin e drejtimit të përfaqësueses së Italisë? I kam dëgjuar këto zëra, por unë kam shprehur falënderimet e mia dhe kam bërë të ditur se nuk jam i interesuar. Pata përvojë si trajner me përfaqësueset e Anglisë dhe të Rusisë, ndërsa kam drejtuar edhe disa klube, midis tyre, të fundit klubin Xhungsua që është edhe stacioni im i fundit si trajner”, u tha Kapelo mediumeve italiane.

Ai tha se atij i mjafton puna si komentator futbolli, ndërsa kritikoi ata njerëz që kanë marrë përsipër të zhvillojnë futbollin italian. “Dua të them se në disa segementë ne kemi bërë progres, por në futbollin italian akoma bëhen gabime, midis tyre mbahet një qëndrim i keq ndaj futbollit të fëmijve. Ata, fillimisht, duhet të mësojnë të luajnë futboll dhe të kontrollojnë lojën me top, ndërsa, më pas, të mësojnë taktikën. Në Itali, është bërë praktikë që fëmijëve të moshës rreth 12-vjeçare t’u jepen leksione taktike, kurse në Spanjë atyre u thuhet se vetëm duhet të luajnë me topin”, vuri në dukje trajneri i famshëm italian.

Sfidanti.al