Levandovski, ndoshta qendron tek Bajerni me fitoren e Championsit

Është vetëm një hipotezë, një parashikim, por edhe mund të ndodhë. Robert Levandovski mund të mbetet tek Bajerni, veçse në rast se kampionët e mëdhenj bavarezë dominojnë edhe Europën, ashtu si Bundesligën.

Flitet se Reali e do me këmbëngulje, siç do edhe polaku që të shkojë në Madrid, ndërsa së fundmi, Çelsi jepet në “pole position” për ta marrë. Gjithsesi, në pritje të zgjidhjes së enigmës, Levandovski mbetet “në orar zyrtar” këtë sezon, siç bëri edhe në ndeshjen e fundit.

Bajerni pati sfidën që mund të quhej më e forta e Bundesligës, atë ndaj Dortmundit në “Alianc Arena” të Mynihut, por përfundimi ishte sikur po luante me kundërshtarin më të dobët, dhe “Leva” ishte ndër protagonistët kryesorë.

Triumfi 6-0 i bavarezëve u arrit me një lehtësi të frikshme, madje duke shënuar 5 herë që në pjesën e parë.

Levandovski dha një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke shënuar edhe 3 rrjeta, e duke e ngritur totalin e tij në Bundesligë në plot 177 gola, duke qenë një nga më të mirët në histori.

Nuk dihet nëse sulmuesi polak do të largohet sezonin e ardhshëm për tek Reali apo Çelsi, veçse edhe po zgjodhi të mbetet në Mynih nuk do të bënte asnjë gabim.

Golat e tjerë për Bajernin u shënuan nga Hames Rodrigez, Tomas Myler dhe Frank Riberi, ndërsa skuadra e trajnerit Jup Hajnkes u ngjit në 69 pikë, plot 17 më shumë se Shalke e vendit të dytë. Nëse fiton ndeshjen e ardhshme, shpallet kampion 5 javë para fundit.

Sfidanti.al