Gerard Pike është katalanas 24 karatësh, dhe ndihet i tillë edhe kur nuk mundet të luajë futboll. Mbrojtësi i Barcelonës dhe (ende për pak kohë) i Spanjës, e kishte shumë të thjeshtë për ta mbajtur lart nivelin e adrenalinës së tij patriotike, pasi në fundjavë luhej “El Klasiko” i basketbollit.
Pike shkoi në “Palau Blaugrana” së bashku me djalin e tij të vogël, Milanin, dhe basketbollistët barcelonistë e kënaqën. Ata e fituan përballjen me Realin me rezultatin 85-75. Një mjeshtër i vërtetë i derbit të Spanjës, Pike do ta ketë vlerësuar shumë fitoren në lojën e koshit.
Mbrojtësi nuk humb kohë për ta bërë të birin një tifoz të madh katalanas, edhe pse mamaja e tij, Shakira, është nga Kolumbia. Besohet se Milani i vogël shkon shpesh në “Kamp Nou” për të parë babin që luan futboll dhe do të ketë shpejt një “El Klasiko”. Në 3 dhjetor, Reali i Zidanit udhëton për në Barcelonë për të luajtur në Ligën spanjolle.
B. Kuka