Bajern, PSG, Çelsi, Arsenal, të gjithë duan Tomas Tuhelin!

Kur u përmend emri i tij si kandidat për stolin e Bajernit, nga Mynihu erdhi një reagim negativ. U tha se “senatorët” bavarezë nuk deshën që klubi të caktonte Tomas Tuhelin si pasardhës të Jup Hajnkesit, por gjithsesi kjo “njollë” nuk mund ta errësojë shkëlqimin që po marrin inicialet TT në Europë këto kohë.

Përveç Bajernit, mediat shkruajnë se Tuhelin e duan Paris SG, Çelsi, Arsenali, por edhe Sevilja. Shprehimisht, “gjysma” e kontinentit pëlqen trajnerin 44-vjeçar gjerman, i cili ka punuar për 5 vjet tek Mainci dhe 2 vjet tek Dortmundi.

Paris SG thuhet se është në pararojë dhe se ka biseduar me Tuhelin, madje gazeta “L’Ekip” është e sigurt se ai do të zëvendësojë Unai Emerin në fund të këtij sezoni.

Përse të gjithë e duan Tuhelin? Ish-trajneri i Dortmundit vlerësohet për faktin se ka mesatare të madhe pikësh për ndeshje, tek Borusia ishte me 2.12 pikë mesatarisht në 107 ndeshje, duke fituar Kupën e Gjermanisë. Tek Mainci, një ekip modest, ai mori 1.43 pikë për ndeshje, në 183 takime. Aspak keq, apo jo?

Gjermani cilësohet si “dhelpër” taktike, si admirues dhe mik i Pep Guardiolës. Ai mund të ndryshojë sistemet shumë shpejt në një ndeshje, nga 5-3-2, në 3-4-3, 4-4-2 apo 4-1-4-1. Specialisti i stolit thuhet se rri natë e ditë mbi skema, duke menduar vetëm për futbollin, dhe po ashtu ai është mjeshtër i gjuhëve të huaja. Jo vetëm gjermanisht e anglisht, por PSG u habit nga frëngjishtja e tij e kulluar. Tuheli mund të flasë edhe spanjisht.

Së fundi, ai është i kulturuar, i edukuar dhe di të zgjedhë e të rrisë yjet e rinj, siç bëri me Shyrrlen tek Mainci, apo me Dembelenë e Pulishiçin tek Dortmundi. Pra, mund të themi, “lum kush merr Tomas Tuhelin”.

Sfidanti.al