Skënderbeun “e vranë” shqiptarët, vetëm funeralin ia bën.. UEFA

Le ta heqim për pak çaste maskën e hipokrizisë, para se të shajmë UEFA-n nga motra, siç e kemi zakon,  dhe të tregohemi pak të ndershëm, ashtu siç nuk dëshirojnë shefat tanë të babëzitur. Që Skënderbeu dënohet 10 vite si i padëshiruari madh në skenën europiane, qoftë edhe më pak, sepse  ustallarët e këqinj  do na e ofrojnë si sukses edhe nëse ulet dënimi, kjo padyshim që është një vepër  shqiptare ..se sa e huaj. Të gjithë bashkë, nuk u ndalëm para greminës, sa u krijua ideja se shqiptarët me top  janë Duka,  mund të bëjnë çdo proçkë me topin.

Klubi korçar arriti delirin, aq sa besoi se zotat e babëzisë e mbronin  me nofkën mashtruese ‘projekti i së ardhmes”, nderkohë  që shpura zyrtare, ajo që quhet Federatë, u shfaq si intitucion i tredhur  që e keqpërdori Skënderbeun dhe veten në një mënyrë krejt kampione nga ligësia. Vetëm e vetëm për  për të kënaqur orkesin e shefit dhe për të prishur shijen e vertetë të kalcifikuar ndër vite. Një shef që nuk iu gëzua kurrë me shpirt  lojës me fantazi  të Skënderbeut në fushë, sepse donte që më i bukuri të mbetej vetë , ai që përcaktonte fatin e madh të ruletit-futboll, ku arbitrat do të bëheshin pis me pahir, për të treguar se më i forti del nga bilbili dhe jo nga fusha…

10 vite dënim për Skënderbeun, është nata më e zezë për futbollin shqiptar!  Për atë lloj futbolli që kombinon edhe me politikën kur trukimi bëhet në emër të adheut dhe patriotizmit, siç ndodhi me kualifikimin, që zbukuroi racën tonë. 10 vite dënim nga UEFA për një ekip klubi shqiptar, duket si një shkarkim i fuqishëm mllefi, i gjithë zemëratës dhe sjelljes kontraverse të UEFA-s me  shqiptarët dhe anasjelltas. Një lojë e mbushur me miqësi të shtirur në emër të votave, dhe me armiqësi 24 karatshe..  për hallet e mëdha që u krijonim. Pale kur kujton edhe atë gjyqin unikal të dronit, kur vetë  UEFA u kap duke trukuar të vërtetën e asaj që ndodhi në Beograd. S’ka dreq që e deshifron sjelljen e “burrave” të UEFA-s!  Ata e mësuan Dukën sesi ta konvertojë  futbollin në një lojë ku luajnë 22 vetë dhe fiton vetëm njëri, ndërsa nga ana tjetër, ata janë të “pabesët” që ia drodhën me marifet kur u votua për në Komitetin Ekzekutiv ( ashtu si ia dredh ky i joni të tjerëve).  Janë të besës kur na sjellin një misionar me fytyrë shoqate në Asamble për të “votuar” diktaturën, dhe aq të pabesë kur “varrosin” Skënderbeun, duke mos  prekur asnjë qime  sistemin dhe arkitektët e tij të betonuar. Tek ata që bëjnë kurban klubet për të shpëtuar nderin e dyshimtë të ekipeve Kombëtare…

Gezim Sinemati