Murinjo duhet të shpenzojë të paktën 200 milionë euro për dy yje

Garet Bejl dhe Sergej Milinkoviç-Saviç janë dy objektiva të mëdha për Zhoze Murinjon. Trajneri portugez po synon të përfundojë sa më shpejt “periudhën e tranzicionit” në skuadrën e tij duke afruar lojtarë të cilësisë së lartë, siç janë uellsiani (që ka edhe përvojë), por edhe serbi.

Gjithsesi, Mançester Junajtidi do të duhet të shpenzojë shumë për të marrë këtë dyshe. Edhe pse mediat shkruajnë se Bejl është bindur nga Murinjo për të shkuar në “Old Traford”, sërish Reali ka theksuar prerë se “kushdo që kërkon të marrë Bejlin, duhet të paguajë të paktën 100 milionë euro”.

E njëjtë situata edhe me Milinkoviç-Saviçin. Igli Tare, drejtori sportiv shqiptar i Lacios, ka deklaruar se “90 milionë euro që pretendon të japë Junajtidi, nuk mjaftojnë për kartonin e lojtarit tonë”. “Do të duhet të paguhet shumë më tepër sesa 90 milionë”, – vazhdoi Tare. Me gjasë, Lacio do të kënaqej me 120 milionë, edhe pse presidenti Lotito thotë se kartoni i sulmuesit shkon në 150 milionë.

Në çdo rast, aksionerët e Junajtidit do të duhet t’i japin Murinjos një shifër tepër të lartë për të shpenzuar vetëm për këta të dy, pa llogaritur se çfarë “harxhesh” të tjera mund të bëhen, ndërsa deri tani, trajneri portugez ka shpenzuar të paktën 350 milionë euro.

Sfidanti.al