Përfaqësuesja e Gjibraltarit arriti deri te fitorja e parë, qëkur, ky vend, më 2016, u pranua në FIFA, duke mundur në një ndeshje miqësore 1-0 Letoninë. Fatin e ndeshjes e vendosi Liam Uokeri që luan me ekipin anglez të divizionit të katërt, Nots Kaunti, duke shënuar nga një goditje e lirë në min. e 88-të.
Kështu, Gjibraltari, një shtet që nuk ka më shumë se 30 000 banorë, mbas 23 humbjeve dhe një barazimi, duke pësuar, madje, gjithsej 117 gola, arriti, më në fund, deri te fitorja.
Fitorja e fundit ndaj Letonisë, në fakt, është e dyta, pasi të parën ajo e ka arritur, më 2014, me të njëjtin rezultat kundër Maltës, por, atëkohë, Gjibraltari nuk ishte ende anëtar i FIFA-s.
Në ndeshjet kualifikuese për kampionatin evropian të vitit 2016, Gjibraltari pësoi 10 humbje me një golavarazh 2:56! Kurse në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës Rusi-2018, “vendi i shkëmbinjve”, sikurse e quajnë ndryshe Gjibraltarin, pësoi 10 humbje me një golavarazh të përgjithshëm 3:47.
Sfidanti.al