Pronari i Monakos, Dmitrij Ribollovljev, po shqyrton mundësinë që të blejë klubin e njohur italian, Milan. Sipas “Tuttosportit”, tajkuni (pasaniku) 46-vjeçar rus po studion, aktualisht, gjendjen financiare të klubit “rosoner”. Ky rus i pasur është pronar i Monakos që nga viti 2011 dhe me financimet e tij ky klub “princëror” erdhi nga Liga e 2-të, deri sa fitoi edhe titullin e kampionit të Ligës së 1-rë franceze.
“Gazeta dela Sport” shkruan se biznesmenit të lartpërmendur rus i janë ofruar 500 milionë euro që ai të shesë aksionet e tij te Monakoja. Ribollovljevi është tajkuni i dytë rus që interesohet për Milanin, pasi interes për klubin milanez ka treguar edhe aksioneri i Arsenalit, Alisher Usmanov. Klubi “kuqezi” ka afat deri në tetor të këtij viti që të paguajë borxhin prej 300 milionë eurosh që ai i ka fondit investues “Eliot Management”, përndryshe, klubi italian do të kalojë në pronësi të këtij fondi që do të mund t’ia shesë atë dikujt tjetër.
Sfidanti.al