Një shprehje e trajnerit të kombëtares, Kristian Panuçi, bëri xhiron e “botës shqiptare” dhe solli një konflikt. “Lojtarë që fillimisht premtojnë dhe pastaj braktisin Shqipërinë duhet të kenë b…, pasi po nuk pate nuk bën dot karrierë të madhe”, – tha italiani.
Nga Kosova erdhën reagime të ashpra, pasi trajneri e pati fjalën për një talent me mbiemër Zhegrova, veçse refuzimi i këtyre “lojtarëve pa b…” duket se po na krijon një problem të madh. Në një vend ku numri i terreneve sportive (dhe padyshim futbollistike) vazhdon të ulet, më shumë sesa numri i popullsisë, vështirë të krijohet ai brez që të nxjerrë kandidatë për ekipin përfaqësues.
Ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Prodani, pohoi në një emision televiziv se “jemi vendi me numrin më të vogël të njerëzve që merren me futboll”, ndërsa Prof. Dr. Albert Karriqi i Universitetit të Sporteve, thotë se jemi vendi me sipërfaqen më të vogël sportive për frymë në Ballkan (pa kaluar në Europë).
Po ashtu, skandalet e basteve, korrupsioni dhe dhuna, deri edhe tek niveli i moshave, janë shtruar “këmbëkryq” këtu tek ne. Kjo gjendje do të bëjë shpejt që nga Shqipëria të mos ketë lojtarë për kombëtaren, as në aspektin sasior, as në atë cilësor, ndaj çdo trajner i Shqipërisë do të vazhdojë të kërkojë numrin e telefonit të “lojtarëve pa b…”, dhe shpresohet që disa prej tyre të arrijë t’i marrë në ekip.
Sfidanti.al